LAZANJA SHTEPIE ME SPINAQ
Ju prezantoj me “Lazanjën me spinaq” si me poshte:
Përbërësit:
· 10-12 fletë lazanje
· 300 gr spinaq
· 3-4 qepë të njoma
150 gr gjizë pa kripë
· Mente e freskët
Për beshamel:
· 2 lugë gjelle gjalp
· 2 lugë miell
· 800 ml qumësht
· 1 kokër vezë
· Kripë, arrë moskat
Përgatitja:
Spinaqin, qepën e njomë dhe menten i grijmë, shtojmë kripë dhe i vrasim me duar sa të bjerë volumi.
Beshamelin unë e kam sqaruar disa herë në recetat e blog (shikojeni këtu), por po e përsëris për ata që më lexojnë për herë të parë. Që beshameli të mos dalë me kokriza ndiqni këto hapa:
• Vendosni gjalpin në tenxhere dhe pasi shkrin hidhni miellin.
• Lëreni miellin të kaurdiset sa të marrë pak ngjyrë dhe largojeni tenxheren nga zjarri.
• Shtoni qumështin e ftohtë avash avash mbi miellin e kaurdisur dhe trazoni masën me telin që bëni kekun që të bëhet kremoze. ASNJËHERË mos e shtoni qumështin me tenxheren mbi flakë, pasi kjo do ju krijojë ato kokrizat e bezdishme, duke mos lejuar që beshamel te dalë kremoz.
• Pasi keni shtuar gjithë sasinë e qumështit dhe e keni trazuar mirë, rivendosesni tenxheren mbi flakë dhe trazojeni herë pas here derisa kremi beshamel të trashet. Rregulloni me kripë dhe arrë moskat.
• Lëreni pak të ftohet dhe më pas shtoni një kokërr vezë (për këtë sasi), pasi do shërbejë që lazanja të lidhet.
Fillimisht vendosim petët e lazanjës mbi tavë, më pas spinaqin, e më pas rikotën si në foto. Vijojmë kështu derisa në krye të na mbesë spinaqi me rikotën. Mua më dolën 3 shtresa (3 fletë lazanje një shtresë). Në fund mbi spinaq shtoni beshamelin.
Vendoseni në furrë në 200 gradë, për 35-40 minuta derisa të marrë ngjyrën e bukur të pjekjes. Lëreni të ftohet pak dhe servireni.

Comments
Post a Comment